Mes tingujve të lodrave, valleve dhe ngjyrave të kostumeve popullore, është hapur sezoni turistik malor në Valbonë.
Prej fillimit të pandemisë, Lugina e Valbonës nuk kishte parë kaq shumë njerëz. Bukuritë e natyrës, ajri i pastër, bujaria e banorëve vendas si dhe kulinaria e pasur dhe bio, duan të ftojnë sa më shumë vizitorë në këtë sezon të pazakontë.
E ndërsa në vitet e mëparshme në këtë zonë mbizotëronin vizitorët e huaj, këtë verë shpresa e administratorëve të bujtinave, restoranteve dhe guidave turistike është tek vizitorët vendas.
Edhe pse për muaj të tërë pa asnjë të ardhur, banorët e zonës janë përpjekur të krijojnë atmosferë dhe kushte optimale në pritje të turistëve.
Vitin e kaluar, zona e Valbonës u vizitua nga rreth 140 000 turistë. Statistikat vjetore kanë treguar se fluksi më i madh është në fundjavë, kur drejt Valbonës mësyjnë qindra vizitorë nga Kosova e rrethe të ndryshme të Shqipërisë.
Parku Kombëtar i Valbonës është cilësuar si një nga mrekullitë e alpeve shqiptare, që nis nga Qafa e Valbonës e deri në Luginën e Drinit.
Comments
Post a Comment