Ambasadori italian, Fabricio Bucci deklaroi se shumë shpejt do të ketë zhvillime të rëndësishme në vendin tonë në lidhje me hetimet për përgjimet e klanit mafioz “Ndrangheta”, ku përmenden edhe zyrtarë dhe biznesmenë shqiptarë
Ambasadori italian Fabricio Bucci deklaroi në Euronews Albania se shumë shpejt do të ketë zhvillime të rëndësishme në vendin tonë në lidhje me hetimet për përgjimet e klanit mafioz “Ndrangheta”, ku përmenden edhe zyrtarë dhe biznesmenë shqiptarë.
"Ka një bashkëpunim të ngushtë, dy prokuroritë janë duke komunikuar me njëra-tjetrën. Do të ketë zhvillime të rëndësishme së shpejti. Nuk mund të flas me detaje për arsye që ti i imagjinon, por po punohet, dy prokurorët po komunikojë”, shprehet ambasadori në një intervistë për ‘Ilva Now’.
Ambasadori shpjegoi se nga ana e prokurorisë italiane janë nxjerrë vetëm disa përgjime, kjo në bazë të kodit të procedurës penale në Itali, teksa paralajmëroi gjithashtu se ka edhe përgjime të reja që ende nuk janë publikuar.
“Hetimi në Itali është në hapat e para, janë dhënë masat e para të sigurimit personal, janë publikuar disa përgjime, pasi në Itali kodi i procedurës penale thotë se kur prokuroria akuzon persona jep masa të sigurimit personal. Duhet të zbulojë faktet në bazë të të cilave bëhen këto arrestime, pra janë bërë publike disa përgjime por jo të gjitha”, tha ambasadori italian teksa shtoi se fakti që edhe në Shqipëri do të ketë vazhdimësi të hetimeve nënkupton se do të publikim të përgjimeve të reja.
Publikimi pak ditë më parë në mediat italiane i përgjimeve të Antimafias për disa pjesëtare të grupit mafioz “Ndrangheta”, ku përmenden edhe emra biznesmenësh apo politikanësh shqiptarë, ka shkaktuar reagime të përfaqësuesve të institucioneve dhe politikës në vendin tonë.
Kryedemokrati Lulzim Basha i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë bashkëpunimin e mafias me kryebashkiakun.
“Nuk ka asnjë arsye në botë pse SPAK-u të mos kërkojë me urgjencë, nga anti-mafia italiane, nga prokurorët anti-mafia, fashikujt e këtij hetimi dhe të nisë urgjentisht hetimet”, theksoi Basha në një postim në Facebook.
Ndërsa presidenti Ilir Meta u shpreh se problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare.
“Problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare të cilat bëjnë vlerësimin apo kategorizimin e vendeve në këtë drejtim dhe të gjitha çështjet që i referohen zhvillimit më të fundit në Itali për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë duhet të ndiqet edhe nga institucionet tona”, shprehet kreu i shtetit.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Euroneës Albania, përgjimet tregojnë se zyrtarë dhe kriminelë italianë komunikojnë mes tyre për investime në Shqipëri, kryesisht në fushën e shëndetësisë dhe ndërtimit.
Gjithashtu në biseda theksohet se sa lehtë mund të merren leje për ndërtimin e gradacielave në Tiranë, përmes njohjeve me biznesmenë pranë kreut të bashkisë së Tiranës, si dhe shpejt mund të përfitohen tenderë në sektorin e shëndetësisë.
Përgjimet
“Në Shqipëri funksionon si Kalabria e viteve ’60, po gjete kanalin e duhur bën para, ndryshe rrezikon ta fusin e atje ta fusin të gjithë. Atje nuk ka drejtësi e kur i hedh në gjyq… sidoqoftë duhet të kesh kujdes dhe duhen verifikuar kontaktet që ata kanë, nëse janë të vërteta o jo.”
Kjo është përshtypja që Antonio Gallo i njohur me nofkën “Princi” ka pasur për Shqipërinë. Biseda është përgjuar në datën 18 korrik, në kuadër të operacionit profili i ulët ku u vendosen 50 masa ndalimi prej të cilëve 35 në arrest me burg.
Të akuzuarit si pjesë e Ndraghetës bisedojnë për investimet në Shqipëri, sa duhet paguar për të marrë tendera apo për leje ndërtimi, raporton Ora Neës.
Në faqen 506 në regjistrimet e bëra në 25 korrik të vitit 2017 shfaqet dhe interesimi për zhvillimet politike në Tiranë. Madje të akuzuarit kanë qenë tepër të interesuar për Shqipërinë, çka duket në situatën e krijuar me zgjedhjet e qershorit të vitit 2017 në zbardhjen e bisedës në faqen 506 të regjistrimit.
Antonio Gallo thotë se në korrik e gusht në Shqipëri gjithçka është pezull, pasi po presin të emërojnë ministrat e rinj e duke iu drejtuar Luciano D’Alessandro (djalit të finacierit të Ercole D’Alessandro) e Saverio Brutto thotë se gjatë këtyre dy muajve duhet të mësojnë të gjithë artikujt, të formohen për të qenë autonomë.
Teksa flasin për kompani me 6500 punonjës në Malësi të Madhe dhe për prodhim të pantallonave Luciano D’Alessandro thotë se një person i tretë i ka thënë se Policia do të ndërrojë uniformat.
D’Alessandro: Nëse hyn Ministri ai i yni, do të na firmosë kontratën menjëherë.
Por duket se italianët nuk kanë pasur shumë besim te kontaktet shqiptare. Sipas dokumentit të Antimafias italiane ai thotë se duhet të ndjekin rrugët që të mos kuptohen nga shqiptari.
Gallo: Rrugët e tua nuk ia japin shqiptarit, e ne do ta kryejmë pa bërë që të kuptohet asnjë lëvizje.
D’Alessandro: Jo jo jo… po kujt shqiptari?
Më tej Ercole D’Alessandro thotë se më datë 12 do të shkoj në Shqipëri e më 13 do të kthehet.
D’Alessandro: Do të shkoj me një të Romës që është atje prej shumë kohësh, është i Ministrisë sonë të Brendshme e ka një sërë takimesh mes të cilëve dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, me atë që është zgjedhur tani, do të shkojmë për darkë më 12 në mbrëmje. Do të jetë Vito Santacroce, Dedoni i djathërave, do të jetë një i Romës, e ndoshta vjen dhe ky Grifalco që ka pantallonat se do të hapi një fabrikë pantallonash atje… në shtator duhet të shkojmë e ndoshta gjejmë nje vend për të qëndruar…
Në një tjetër bisedë, biseda vazhdon dhe për sektorin shëndetësor, këtë rradhë në Shkodër ku Luciano D’Alessandro shprehet për kontakte të rëndësishme në sektorin sanitar, raporton Ora Neës.
Madje në përshtypjen e krijuar mes tyre, D’Alessandro shprehet se investimet në Shqipëri do të jenë të mëdha.
D’Alessandro: Më thotë ky që sapo të bëhet QEVERIA, sepse Europa po çon para atje… pra sa të bëhet qeveria do të bëjnë gjithçka, infrastrukturë, kanalizime… siç bënë në Rumani…
Ndragheta”, SPAK: Do shohim provat
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të kërkojë nga autoritetet italiane të gjitha materialet që kanë lidhje me Shqipërinë, e që janë pjesë e përgjimeve për grupin e akuzuar për lidhje me organizatën mafioze ‘Ndrangheta’.
Burime pranë SPAK bëjnë me dije se të hënën do të kontaktojnë me autoritetet italiane e pas marrjes së informacionit prokurorët do të vendosin për veprimet e mëtejshme.
Por, opozita i ka kërkuar Spak-ut të nisë menjëherë hetimet duke hequr paralele me rastin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.
“Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk duhet të heshtë! Më e pakta që mund të bëjë SPAK është të ruajë standardin e ndjekur me Saimir Tahirin! Heshtja e SPAK është kundër interesit të Shqipërisë dhe qytetarëve që presin me padurim veprimin e drejtësisë njësoj për të gjithë”, tha Belind Këlliçi, kryetar i FRPD.
I gjithë debati në Tiranë lindi pas operacionit të finalizuar pak ditë më parë në Itali nën emrin e koduar “Basso Profilo”, si rezultat i të cilit u morën të pandehur 50 persona, të gjithë të akuzuar për lidhje me mafian kalabreze, Ndrangheta.
Në vendimin e Gjykatës së Catanzaros, përmenden dhe shumë emra politikanësh dhe zyrtarësh të lartë shqiptarë, por mbetet e paqartë nëse ata kanë lidhje direkt apo janë përmendur vetëm për të rritur besueshmërinë e për të treguar rrjetin e njohjeve të tyre.
Comments
Post a Comment