Qeveria shqiptare do të riformatojë grupin negociator për paktin detar me Greqinë. Kryeministri Edi Rama rikonfirmoi se nga ndryshimi i qeverisë greke, me Athinën nuk ka patur asnjë përparim për marrëveshjen për kufirin detar dhe paralajmëroi ndryshimin e ekipit negociues, i cili duhet të marrë plotfuqi nga Presidenti Ilir Meta.
“Të vesh duart në kokë që ka njerëz që mund të besojnë se ata që firmosën marrëveshjen e famshme që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese i kanë dalë detit në mbrojtje nga ne. Duhet kuptuar që nuk ka marrëveshje, negociatat janë ndërprerë dhe madje duhet riformatuar edhe grupi negociator. Ky riformatim kalon edhe përmes Presidentit, që duhet ta aprovojë. Të thuash sot bëj transparencë për diçka që nuk ekziston është qesharake dhe e poshtër”, tha Rama.
Kryeministri Rama iu kthye sërish akuzave ndaj PD, duke i kujtuar se në vitin 2009 ishin demokratët ata që firmosën një marrëveshje kundër interesave të Shqipërisë.
Kryeministri i bëri komentet mbi marrëveshen me Greqinë teksa inspektoi punimet për rindërtimin e shtëpive në Shijak, të shkatërruara nga tërmeti i nëntorit të shkuar. Shefi i qeverisë tha se veç shtëpive, po vijojnë punimet edhe për shkollat që do të jenë gati në 1-vjetorin e tërmetit.
Publikuar më: 15:09 29/08/2020
Comments
Post a Comment